Java politike, Demaliaj: Linda Rama në llozhë si Nexhmije Hoxha, qeveria ndalon në semafor, tragjedi që s'kemi opozitë

Zhvillimet politike të ditëve të fundit në atdhe nuk i ka lënë shije të mirë publicistit Ilir Demalia.

Në një lidhje me skype për Rtv Ora nga SHBA me gazetaren Besmira Pelushaj, Demalia thotë se nuk pret asgjë të re nga parlamenti me figura anonime dhe as nga qeveria që betohet para një Presidenti që e ka shkarkuar nga detyra.

Demalia: Ky parlament nuk do jetë gjë tjetër vetëm vazhdimësi e parlamenteve të mëparshëm. Aty janë shumë njerëz që nuk kanë asnjë lloj profili publik, njerëz të panjohur, disa fëmijë, pastaj ca njerëz që janë të stimuluar. Në një parlament që diskutohet ekonomia, ndërtimi i shtetit, në program ka cicërima hartimesh të një niveli tepër banal.

Qeveria betohet te presidenti që ka shkarkuar. Të gjitha këto nonsense të krijojnë pamjet e një trishtimi politik, social, ekonomik, dhe një karagjozllëku të këtyre njerëze që bëjnë maskarada të tilla si kryeministri me qeverinë e tij kur dalin nga parlamenti dhe ndalojnë te drita e kuqe ndërkohë që ka tre ditë që një minator është në galeri. Duhet të ndiznin dritën e kuqe për të shkuar në minierë. Mjaft më me këto! Na e merr Linda Ramën dhe na e vë në llozhë si Nexhmie Hoxha dikur. Janë gjëra të pështira. Nuk munden këta që e kanë sjellë në këtë gjendje shtetin të ndërtojnë. Këta që kanë masakruar Shqipërinë me ndërtime, që kanë denatyralizuar natyrën.

Po kaq i pashpresë për të është dhe programi qeverisës i "Rama 3".

Demalia: Po na bën tre aeroporte, Massachusetts ku jetoj unë është një shtet me 7 milion banorë me sipërfaqe më të madhe se Shqipëria dhe ka dy aeroporte, një ndërkombëtar dhe një të vogël. Ndërsa ky aeroport në Sarandë, Vlorë, Kukës, të bëjë dhe një në Tropojë. Këto janë shpërdorime. Po bën masakër në portin kryesor strategjik, ekonomik, të Durrësit, thotë po ndërtoj port jahtesh. Ndërtoje portin tjetër diku tjetër me arabët, se ky arab është. Pse e shkatërron portin? Nonsens ekonomik, shpërdorim parash shtetërore.

Shembull të shkatërrimit të vendit sjell Tiranën, aty ku paratë e krimit pastrohen në industrinë e ndërtimit.

Demalia: Kam lindur dhe rritur në Tiranë dhe nuk e njoh më nga pamjet. Kudo bota bën një ndërtim, plan urban, një strategji, nuk mund të ecësh gjej një oborr shkolle dhe ndërto një pallat. Ku është ky treg, kjo fuqi tregu? Ku janë këto kërkesa? Është pastrim i parave të krimit.

Por në këtë gjithë situatë, Demalia thotë se tragjedia më e madhe është që vendi nuk ka një opozitë dhe as shoqëri civile.

Sipas tij Rama do të ikë duke gërryer dhe shkatërruar vetëveten me zullumet e tij.

Demalia: Janë errësuar nga pasuritë e banditizmit dhe hajdutllëkut. Gjendja vetëm do rëndohet dhe e keqja është se nuk ka një fuqi as opozitare, as shoqëri civile ti thotë stop kësaj tragjedie. Tragjedia nuk është se gjendja është kjo, tragjedia është që nuk ka një forcë që ti thotë ndal kësaj gjendje. Edi Rama do të vazhdojë të qeverisë i qetë, do të degradojë dhe do të vijë një ditë që do të rrëzohet vetë.