Pasojat e pandemisë në shëndetin mendor, ekspertët: Do të zgjasin me muaj e vite, duhet plan
Përveç problemeve ekonomike dhe sociale, pandemia e Covid-19 shkaktoi pasoja edhe në shëndetin mendor, veçanërisht te ata persona që e përjetuan sëmundjen.
Mjeku psikiatër, Neli Demi, parashikon se këto pasoja do të jenë afatgjata dhe duhen marrë masa për përballimin e tyre.
Neli Demi: Pasojat në shëndetin mendor të shkaktuara nga pandemia do të jenë të gjata, mund të zgjasin muaj, vite dhe duhet të jemi realist për këtë dhe të planifikojmë si do ia dalim.
Ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetit shpjeguan arsyet e rritjes së stresit dhe depresionit gjatë pandemisë.
"Pandemia e koronavirusit krijoi shumë stres për shkak të pasigurisë ekonomike, komplikacioneve shëndetësore, nivel të lartë stresi përjetuan edhe ata që ishin në vijën e parë të përballjes me virusin".
Mendimet në lidhje me pasojat e Covid-19 në shëndetin mendor të popullatës u diskutuan gjatë hapjes së ekspozitës së doktor Ardian Xinxos, i cili shënimet e mbajtura gjatë punës në zyrat e OBSH-së i ktheu në art duke hedhur në to ngjyra e mesazhe mbi situatën që gjunjëzoi mbarë botën.

