“Mu” njësoj si “Delta”, Simaku: Nuk ka asnjë sinjal për variantet e reja në Shqipëri

Varianti “Mu” i Covid nuk paraqet shqetësim për ekspertët e shëndetësisë të cilët thonë se është më pak i rrezikshëm se delta.

Mjeku epidemiolog, Artan Simaku bën te ditur se në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ende s'ka raste të dyshimta.

"Varianti Delta qarkullon në të gjitha vendet e rajonit, qarkullon dhe në disa shtete, varianti i ashtuquajtur varianti MU, mirë po ky variant nuk është shqetësues jo vetëm për Shqipërinë, që ne nuk kemi sinjale aktualisht  të atij varianti, por edhe në shtete që qarkullon nuk paraqet asnjë lloj shqetësimi."

Nga studimet e deritanishme lloji i ri i  koronavirusit sillet thuajse njësoj si Delta.

"Është i ngjashëm me variantin Delta, nuk ka ashpërsi klinike më të shtuar se varianti Delta. Pra për momentin vetëm varianti Delta është varianti që po qarkullon dhe mbizotëron dhe është shqetësues për OBSH."

Simaku e parashikon dimrin me një rritje të shifrave krahasuar me vjeshtën, por më të qetë se sa dimri i kaluar, pasi rreth 50 e qytetarëve e kanë kaluar virusin, ndërsa rreth 26 përqid janë vaksinuar me të dy dozat.

"Pritet që të jetë një dimër më i butë dhe më i lehtë se sa dimri që kemi kaluar."

Deri tani, nuk ka pasur efekte anësore shqetësuese nga vaksinat. Ndërsa në lidhje me ata që kanë humbur jetën edhe pse kanë qenë të vaksinuar, Simaku sqaron se kemi të bëjmë me persona që kanë pasur sëmundje të tjera kronike.

Sipas eksperteve te shëndetësisë, vaksinimi dhe respektimi i masave anti-Covid janë elementet kryesore për mbrojtjen.