Noka: Basha kur e pyet SHBA-në, kur nuk do nuk e pyet, ka lëshuar një hije të zezë mbi PD
Në një intervistë për RTV Ora, deputeti i PD, Flamur Noka u shpreh se nëse anëtarësia vendos që të miratohet vendimi i kryetarit, Berisha do ta pranojë, por Basha i trembet kësaj gjëje se e di se anëtarësia është kundër.
Sipas tij, esenciale është fakti që a ka Basha mbështetjen e partisë në këtë vendim apo e ka kundër, pasi në se ka kundër si do t’i frymëzojë drejt fitores.
Noka: Nëse anëtarësia vendos që të miratohet vendimi i kryetarit, Berisha do ta pranojë, por Basha i trembet kësaj gjëje se e di se anëtarësia është kundër. Kur ke pas shumicën e partisë dhe mbështetësit e saj nuk të pengon askush. Natën kur Basha komunikoi përmes Facebook vendimin e tij anti status, ka rënë një hije e zezë brenda gjithë deputetëve që ishin në sallë. Secili nga deputetët është i qartë se çfarë mendojnë ata që i kanë zgjedhur.
Nuk ka rëndësi se sa deputetë e kanë kundërshtuar se të gjithë janë kundër. Këto janë teknikalitete. Esenciale është fakti që a ka Basha mbështetjen e partisë në këtë vendim apo e ka kundër? A e ka anëtarësinë pas apo kundër sepse në këtë rast me kë do të shkojë drejt fitores ai? Si do të motivohen drejt fitores? Sali Berishës i dhimbset më shumë se kujtdo PD-ja. Prandaj e vetmja rrugë për bashkim është respektimi i çdo zëri në parti.
Noka shtoi se mbështetësit e Bashës fshihen pas xhaketës së ambasadores amerikane, kur në fakt Basha kur do e pyet SHBA-në dhe kur nuk do nuk e pyet.
Noka: Berisha ka vetëm një qëllim; që ta mbajë të bashkuar partinë. A mund ta bashkojë partinë ai që e përçau? Unë besoj që jo. Shumë mbështetës të Bashës përpiqen të kapen pas xhaketës së ambasadores. A nuk ishte SHBA që i tha mos digj mandatet dhe mos bojkoto se do të ketë pasoja dhe ai nuk i pyeti. Pra, kur do i pyet, kur nuk do nuk i pyet. Prandaj duhet të tregojë arsyen e vërtetë që mori këtë vendim. SHBA-të thanë se zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, ndërsa ai i quajti si masakër elektorale. Pra a ka dalë kundër SHBA-së? Kur ka mundësi e kundërshton SHBA-në Basha.

