Minatori i bllokuar në galeri, AKSEM: Po punohet 24 orë, por nuk dihet vendndodhja, vazhdon bie material

Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera bën me dije se grupet e tyre të punës kanë shkuar pranë galerisë ku ka ndodhur aksidenti ku mbeti i bllokuar brenda në galeri minatori Muharrem Plaku, 60 vjeç.

Autoriteti pohon se që prej atij momenti ka nisur menjëherë puna për nxjerrjen e trupit të minatorit, punë e cila nuk është ndalur për asnjë moment që prej ditës së mërkurë. 

Situata në frontin ku është bllokuar minatori paraqitet shumë e vështirë. Nuk ka informacion të saktë mbi vendndodhjen e viktimës, pasi ai ka qenë i vetëm në hapësirën e nënkatit të parë.

Ndërkohë, vazhdon pastrimi i materialit në rrugën kryesore dhe në nivelin e nënkatit të parë, por nga hapësira vazhdon e bjerë material pa ndërprerje, çka e vështirëson akoma më shumë punën.

Aktualisht grupet e punës janë të përbërë nga 3-4 shpëtues (për shkak të frontit të ngushtë ku mund të gërmohet), të cilët ndërrohen me turne çdo 3 orë, ndërsa punohet 24/24 pa ndërprerje.

Në drejtimin e operacionit është drejtori i emergjencave të AKSEM, ndërsa që 6 inspektorë mbikëqyrin situatën në vazhdimësi, duke vepruar të ndarë në turne.

Sipas AKSEM, për shkak të vështirësive objektive që paraqet ky rast, operacioni kërkon kohë dhe kujdes të madh gjatë punës, për të mos rrezikuar jetën e punonjësve dhe shpëtuesve që ndodhen në vendngjarje.