Krizat në PD do dalin jashtë kontrolli, vendimi i Bashës për Berishën anti-statutor
Presidenti Ilir Meta në një deklaratë për shtyp në Korçë, edhe pse refuzoi ta komentonte betejën ish-Kryeministrit Sali Berisha për t'u rikthyer në PD, tha se sa më shumë kalon koha Berisha bëhet më tërheqës dhe më demokrat.
Këtë e ka komentuar edhe politologu Altin Gjeta, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini.
Ai thotë se Meta është munduar që ta mbështesë, Berishën por nga ana tjetër sipas tij Shqipëria nuk ka ndërtuar një demokraci funksionale.
Gjeta: Deklaratat e Metës në lidhje me Berishën është një deklaratë që qëndron në sintoni edhe me qasjen dhe qëndrimet e tij gjatë gjithë viteve të fundit. Meta është munduar që ta mbështesë me këtë deklaratë, por nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka ndërtuar një demokraci funksionale prej vitesh dhe në këtë kuptim mendoj se Meta është një ndër aktorët përgjegjës dhe nuk mendoj se kritika e tij zë vend në këtë moment.
Sipas Gjetës, PD në vetvete ka probleme të mëdha strukturore.
Gjeta: Problemi është se PD si partitë e tjera politike në Shqipëri, manifeston probleme të mëdha strukturore, sepse nuk ka arritur dot të strukturohet si një institucion i mirëfilltë demokratik. Është shndërruar, në një institucion, i cili është vendosur në shërbim të pak njerëzve.
Më tej shton se problemet dhe krizat e brendshme të PD, do të dalin jashtë kontrollit, ndërsa shton se këto probleme vijnë si pasojë e mungesës së lidershipit, duke lënë të nënkuptohet se fjala është për Kryedemorkatin Lulzim Basha.
Gjeta: PS qeverisë prej dy mandatesh dhe ka nisur mandatin e tretë, PD ka mbetur 3 herë në opozitë. Problemet e brendshme dhe krizat e brendshme në PD, ka gjasa që të dalin jashtë kontrollit, për shkak se PD nuk ka mundësi që të amortizojë pakënaqësitë në anëtarësinë e saj. Kriza aktuale e PD është pasojë e mungesës së vizionit të lidershipit, për të marrë vendime të forta në kohën e duhur.
Përsa i përket vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD, Gjeta shprehet se është një vendim anti-statutor, ndërsa shton se një vendim i tillë duhet të ishte marrë në një kohë tjetër.
Gjeta: Edhe Basha edhe Berisha aktualisht janë jashtë kohës së tyre politike, sepse do të duhet të zgjidhin marrëdhënien e tyre dhe raportin e tyre me PD në një kohë tjetër në një kohë më të hershme, pasi do t’i jepte mundësinë PD që të krijonte një model tjetër.
Vendimi i Bashës përveç se është anti-statutor. Vendimi për përjashtimin e Berishës nuk është një vendim që vjen nga reflektimi i tij i brendshëm. Basha ka shfrytëzuar këtë moment, pra shpalljen ‘Non Grata” të Berishës, nga SHBA, për ta larguar atë nga partia. Basha mund dhe duhet ta kishte bërë më herët një veprim të tillë. Jo përjashtim por distancim nga modeli Berisha. Fakti që nuk e ka bërë, tregon se ai nuk ka pasur vizionin e lidershipit, dhe së dyti është munduar që të marrë legjitimitet nga Berisha. Berisha duhej të largohej me kokën larg, jo në këtë mënyrë si është larguar tani.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.

