Qeveria e Kosovës miraton vendimin: Nga 1 tetori arsimi i lartë do të jetë pa pagesë

Arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë falas. Qeveria Kurti vendosi që nisma të zbatohet që me datën 1 tetor të këtij viti kur dhe hapen universitetet.

Përfitues janë të gjithë ata që duan të studiojnë në “Bachelor” dhe “Master”, ndërsa parashikohen lehtësira financiare për doktoraturat.

Vetë kreu i qeverisë e bëri të ditur këtë lajm në një konferencë të posaçme shtypi me ministren  e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka nxjerrë udhëzimin administrativ.

 “Ne besojmë se në këtë formë, nxisim interesimin për studime të larta, duke përmirësuar kësisoj nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë” tha Kurti.

Deri tani studentët në Kosovë paguanin 25 euro për semestër  në “Bachelor”, 150 euro semestri për "Masterin", ndërsa për "Doktoraturë" fatura kushton 500 euro.

Kërkesa për arsim falas ishte artikuluar edhe nga studentët.

Edhe pse pagesa për nivelin e parë nuk konsiderohej e shtrenjtë, pqër ta vendimi i shërben vendosjes së barazisë sociale.

Gjithashtu arsimi falas i lehtëson të rinjtë nga  shpenzimet totale ku përfshihet qiraja, librat dhe mjet të tjera gjatë studimeve.

Por Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim e ka quajtur këtë nismë të Kurtit si populiste dhe sipërfaqësore me argumentin se arsimi i lartë falas nuk ndikon drejtëpërdrejtë.