Rama-Kurtit: Veç për betejë zgjedhore po e zhbën gjakun e luftës për pavarësi

Kryeministri Rama ka replikuar në largësi me homologun e tij Kurti këtë të enjte. Nga foltorja e parlamentit Rama përsëriti se “Ballkani i hapur” është veçse shtojcë e Procesit të Berlinit, ndërsa Kurti, sipas Ramës, është izoluar prapa barrikadës së një lufte imagjinare në dëm të Kosovës.  

Replika mes kryeministrit Rama dhe homologut të tij Kurti ka vijuar edhe këtë të enjte në seancë plenare.

Për kreun e ekzekutivit shqiptar, për shkak vetëm të betejave zgjedhore, Kosova rrezikon që t’i humbasë të gjitha kreditet ndërkombëtare që janë fituar me gjak, me dhimbje, me punë diplomatike.

"A duhet të kërkojë falje Serbia për spastrimin etnik dhe krimet e luftës? Po. Nuk e luan topi! Me rrugën e lehtë të luftës imagjinare, me facebook, në kolltuk, me foltore, me ekrane, duke bërë politikë të jashtme me politikën e brendshme ka vetëm rrënim dhe izolim.

Shqipërisë nuk mund ti jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mund të negociohen asgjëkundi ashtu sikundër vendimet sovrane të Kosovës duhen respektuar, nuk ka asnjë problem".

Por të dy homologët kanë shtrirë dorën e bashkëpunimit, edhe pse replikat kanë qenë të forta.

Si Rama, po ashtu edhe Kurti kanë folur për takim të përbashkët dhe bisedime.