Protestë për pagat në Kosovë, mjekët të ofenduar nga shtesa prej 60 eurosh

Mjekët dhe infermierët e Kosovës ankohen se pandemia i ka rënduar ata fizikisht dhe financiarisht dhe se u mungon mbështetja e qeverisë.

Të premten, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës protestoi për të drejtën e kompensimit që ia njeh ligji i posaçëm për luftimin e pandemisë.

Kryetari Blerim Syla akuzoi ministrin e dikasterit, Arben Vitia, se po i neglizhon profesionistët e fushës.

“Përgjatë gjithë këtyre muajve në pandemisë e ka neglizhuar totalisht punëtorinë shëndetësor dhe ka ndërprerë çdo dialog social ka qenë vetëm një takim i vetëm atëherë kur ne kemi vepruar ndihmë për vaksina dhe asnjë hap tjetër.

Si rrjedhojë e kësaj zotëria Vitia që edhe sot qëndron në këtë kolltuk as që ftuar që të vazhdohet me dialog social dhe që kërkesat tonë të shkojnë përmes tij në Qeverinë e Kosovës. Si e tillë kemi një ofendim dhe degradim të punëtorëve shëndetësor, sot situata është më e rëndë se kurrë kemi shkelje të të drejtave të infermierëve, mjekësve, specializantëve, të pastruesve dhe të gjithë zinxhirit komandues vetëm për neglizhencën e zotërisë Vitia.”

Mjekët ndihen në mëshirë të fatit prej mungesës së medikamenteve dhe prej shtesës me 60 euro që ata pretendojnë se është më e ulët se ç'përcaktohet.

“Është momenti i fundit që zotëria Vitia të deklarohet a do jetë ministër i të gjithëve apo do na lënë në mëshirë të fatit siç kanë mbetur punëtorët shëndetësorë, por duke mbetur punëtorët shëndetësorë nën mëshirën e fatit të jeni të bindur se janë duke mbetur edhe pacientët tanë.

Nuk është e vërtetë që kemi barna nuk është që janë dhënë shtesat që na takojnë, nuk e kanë nxjerr udhëzimin administrativ bazuar në ligjin anti-COVID, dhe për marrën më të madhe që ka bërë është se është deklaruar se si ndihmë e konsideron dhënien e vaksinave të profesionistëve shëndetësor.”

“Ato 60 euro kanë qenë shumë ofenduese sepse e kanë shkelur ligjin anti-COVID për të cilin me siguri të pasoj edhe padia por atë do e shqyrtojmë me juristët tanë. Ligji anti-COVID i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar parasheh nxjerrjen e një udhëzimi administrativ për përcaktimin e shtesës mbi pagë e jo manipulimin që e ka bërë zotëri Vitia dhe Hekuran Murati.”

Spitalet kosovare janë lehtësuar këto ditë nga pacientët dhe fatalitetet, por gjendja mbetet e rënduar me mbi 600 të shtruar me frymëmarrje të asistuar.

Qeveria vijon të apelojë për imunizimin me vaksina ndaj sëmundjes infektive globale që i ka marrë jetën mbi 550 qytetarëve të Kosovës në një muaj.