Nis largimi i afganëve nga Kosova

Kosova po nis të largojë shtetasit që strehoi përkohësisht pas evakuimit nga Afganistani.

Burimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme informuan agjencinë "Radio Evropa e Lirë" se, duke nisur nga e enjtja, një grup fillestar prej 117 afganësh pritet të kenë si destinacion të ri Britaninë e Madhe, përpara se t'i drejtohen në shumicë Amerikës.

Bashkëpunëtorët e NATO-s, bashkë me familjarët, vazhdojnë të mbërrijnë në Prishtinë që prej datës 30 gusht.

Numri i banorëve në kampet e gatshme të komunës Ferizaj i është afruar shifrës 1.000.

Qeveria kosovare ka thënë se po i ndihmon afganët për arsye humanitare dhe për t'i shpëtuar ata nga përndjekja prej talibanëve që kanë të gjitha pushtetet në Afganistan.

Kosova është deklaruar se mund të presë deri 2 mijë shtetas të cilët i kanë shërbyer Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ushtarakë.

Ndryshe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, afganët që strehohen në Kosovë u nënshtrohen masave të rrepta të sigurisë dhe nuk lejohen të lëvizin lirshëm jashtë hapësirës së përcaktuar.

Ligji e lejon Kosovën t'u garantojë refugjatëve strehim të përkohshëm deri në një vit.