Klinika e Gjinekologjisë rrezikohet nga frigoriferë të mbushur me placenta
Qese të verdha plot me placenta kanë mbushur pesë frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Për shkak të mbingarkesës, dyert e të pesë frigoriferëve nuk mbyllen dot dhe tani ka nisur shkrirja e tyre.
Placentat janë mbetje patologjike nga lindjet dhe abortet.
Tre nga këta frigoriferë gjenden në afërsi të sallës së lindjes, në katin e tretë të Klinikës, kurse dy të tjerë, në deponë e katit të parë.
Rrezik për shëndetin paraqesin posaçërisht tre frigoriferët në katin e tretë. Salla e lindjes është vendi ku rreth 700 fëmijë në muaj vijnë në jetë.
Pesha mesatare e një placente sillet rreth 500 gramë.
“Ne brenda muajit i kemi 500 kilogramë ind placentar, kështu që ato duhet të largohen. Ne nuk kemi ku t’i lëmë. Frigoriferi nuk është zgjidhje. Ato duhet të eliminohen, të asgjësohen ashtu siç i ka hije një indi trupor”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Jakup Ismaili, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë.
“Janë disa frigoriferë të mbushur, ata kur nuk janë të mbyllur nuk ngrihen, kundërmojnë, është gjaku, era e rëndë... Distanca nga salla e lindjes është 10-15 metra, kështu që bëj apel që sa më shpejt ata që janë kompetentë të organizojnë largimin e këtyre mbetjeve”, shtoi Ismaili./REL/
