Miroslav Lajçak 3 ditë në Prishtinë për bisedimet Kosovë– Serbi

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë - Beograd, Miroslav Lajçak, ka nisur të mërkurën vizitën e tij treditore në Prishtinë me fokus caktimin e një date për takimin mes Kurtit dhe Vuçiçit.

Pas takimit me kryeministrin Kurti ai tha se në qendër të vëmendjes ishte dialogu në Bruksel.

Zyra e kryeministrit Kurti njoftoi nëpërmjet një komunikate se “në bisedime Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë. Duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”.

Deklaratë të ngjashme ka bërë edhe krye-parlamentari Glauk Konjufca gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm, Lajçak.“dialogu duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe përsëriti qëndrimin se rendi kushtetues, sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme, shkruhej në  komunikatën për media nga zyra e kryetarit

Në agjendën e Lajçakut janë takime me politikanë të rëndësishëm në Kosovë, dhe me përfaqësues të biznesit e të medieve.

Qëllimi i takimeve është diskutimi i zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë - Beograd. Pas vizitës në Prishtinë, Lajçaku do të vizitojë edhe Beogradin.