Kryemadhi apel ministreve dhe jo vetëm: Sot Shqipëria nuk ka nevojë për kukulla, qofshin gra apo burra
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e quajti një teatër atë që ndodhi sot në Kuvend ndërsa programin e qeverisjes “Rama 3” e sheh si përsëritje e dy programeve të kaluara.
“A duan shqiptarët sot një fasadë të lyer me bojë që nuk është tharë akoma e brenda saj është e rrënuar dhe pritet të rëzohet nga minuta në minutë apo duan një shtëpi me themel të fortë? Jam e bindur që duan të dytën.
A do duam një Shqipëri ku politikanët bëjnë politikë dhe bëjnë sikur zihen me njëri tjetrin dhe më pas i kthejnë krahët votuesve të tyre, apo duan që politika të zgjidhë problemet. Zgjedhjet na përballën me të pamundurën”
Kryemadhi i uroi 12 grave të qeverisë detyrën ”por të mos jenë kukulla dhe instrument thjesht firmosës të koncesioneve që ndahen mes njëri tjetrit. Është e rëndësishme që gratë të jeni me identitet dhe me personalitet.
“Sot më shumë se kurrë Shqipëria nuk ka nevojë për kukulla, qofshin gra apo burra, por ka nevojë për njerëz të vërtetë. Gratë kanë mundësi të ngrihen të luftojnë për fëmijët e tyre”
Nismën “Ballkani i hapur” e quajti me epitetin “Ballkani i shqyer” ndërsa fjalën e saj e mbylli duke shprehur keqardhjen që sot “Shqipëria sundohet nga një grup oligarkësh që ditën e pijnë kafen në zyrën e kryeministrit e natën trokasin gotat e shampanjës duke ndarë pasuritë e shqiptarëve”
