Berisha flet për gangsterët e Ballkanit: Ja çfarë synon Ballkani i Hapur, lëvizja super e lirë e mallrave do shkatërronte ekonominë


Ish-kryeministri Sali Berisha ka kundërshtuar edhe njëherë nismën Ballkani i Hapur.

Duke komentuar takimin  e fundit të Merkel në Tiranë me kryeministrat e rajonit, Berisha tha se tre gangsterët e Ballkanit lanë mënjanë procesin e Berlinit dhe riaktivizuan edhe njëherë projektin e mini-Jugosllavisë të sponsorizuar nga Soros.

Berisha: Një komb, një vend zhvillohet, përparon, forcohet, i rritet autoriteti vetëm kur drejtuesit e tij, qytetarët e tij mbrojnë interesin kombëtar. Sot për kombin është një ditë e zezë se betohet në parlament  një njeri që e ka shndërruar Tiranën në një vasal të Beogradit, epiqendër të luftës së ftohtë kundër Kosovës. Ky argat i Vuçiç procesit të Berlinit të ndërmarrë nga kancelarja Merkel…. Do tu sqaroj se në 2012-2013 u hartua nga serbofilët platforma e Ballkanit 6+2 që parashikonte ngritjen e  Jugosllavisë së re. Do formohej Asambleja parlamentare e 6 vendeve me epiqendër në Beograd, qeveria e 6 vendeve, sekretariati ekzekutiv me qendër në Beograd, do formohej banka rajonale me qendër në Beograd, do formohej ish-Jugosllavia. Qeveria shqiptare e kohës e kundërshtoi, qeveria e Kosovës e kundërshtoi. Konceptin në fund të 2013 e mori në duart e saj Angela Merkel. Kancelarja hoqi të gjitha organet e serbomadhisë.

Nuk ka Asamble, nuk ka sekretariat, një iniciativë e vendeve të barabarta me qëllim që të promovojë dialogun midis tyre dhe me qëllimin që ti japë përgjigjen më të favorshme për rajonin çështjes se do tu japim partneritet këtyre apo të drejtë për anëtarësim. Në atë kohë kishte një diskutim që Ballkanin Perëndimor mund ta mbajmë partner, ta ndihmojmë, por për anëtarësim nuk kemi nevojë. Kancelarja krijoi nismën që synonte që ti afronte me BE, të hartonte projekte për këto vende nga BE. Çfarë bënë gangsterët e Ballkanit, Aleksandër Vuçiç, njeriu që nuk njeh genocidin e sanksionuar në dy vendime të gjykatës ndërkombëtare në Bosnje, me dy vasalët e tij. Jo tani na duhet minishengeni. Minishengeni dhe Ballkani i Hapur nuk kanë asnjë qëllim  tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe dhe kërcënimin e ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Sipas Berishës, ajo që Rama e konsideron si kryesuksesin e Ballkanit të Hapur, lëvizjen e lirë të mallrave, do të thotë shkatërrim i ekonomisë së Shqipërisë.

Berisha: Kjo lëvizja e superlirë e mallrave, që të gjithë jemi për të por brenda rregullave që ka BE, çfarë nënkupton? 80% e kontejnerëve këtu vijnë nga Kina, në Shqipëri. Në marrëveshjen që ka Serbia me Kinën të gjithë këta kontejnerë do të kenë si adresë Beogradin dhe do të kthehen këtu pa asnjë taksë, pa asnjë tatim. Serbia vetë është anëtare e Organizatës së vendeve të Euroazisë që sundohet terësisht nga Rusia, do të vërshojnë dhe mallrat e tyre dhe do ta pësojë fermeri i Myzeqesë, fermeri i Korçës. Do të jetë shkatërrim përfundimtar ekonomik i Shqipërisë, se politik ka marrë fund. Ky është një vasal pa kurrfarë karakteri i Aleksandër Vuçiç.

Berisha nuk la pa kritikuar edhe sulmin e Ramës ndaj Kosovës dhe kryeministrit Kurtit për shkak të refuzimit për tu bërë pjesë e nismës.

Berisha: Çfarë ndodh tjetër. Fuqia e kombit shqiptar pjesëtohet për dy, gjëja më e paturpshme dhe pafytyrë. Në prani të Merkel sulmonte Kosovën dhe kryeministrin e saj. Pse? Se nuk pranon minishengenin, mini-Jugosllavinë, Ballkanin e Hapur të Soros që punon me miliardat e tij ditë dhe natë për hegjemoninë serbe në Ballkan.

Po në këtë realitet të zymtë politik,  Partia Demokratike ku është?

Berisha: Kjo është gjendja ku mblidhet parlamenti. Po PD ku është, në çfarë gjendje është? Në gjendjen më kritike të ekzistencës së saj. Kurrë PD nuk ka qenë në ditën e  sotme. Ka 8 vjet që ka humbur çdo nismë përveç ligjit të dekriminalizimit. Ka 8 vjet që ka humbur çdo aksion 100%. Ka 8 vjet që shkatërrohet mekanizmi elektoral dhe ajo nuk i del zot. Ka 8 vite që ajo kalon nga disfata elektorale në disfatë elektorale, numëron përveç dy mandateve të përgjithshme, dy zgjedhje lokale. Njëra e dhënë aforfe dhe tjetrën të humbur. Kjo është PD në ditët e sotme.