Nishani konfirmon pjesëmarrjen në tubimin e Berishës: Bashkohem me demokratët e vërtetë e të ndershëm

Ish-Presidenti, Bujar Nishani do t’i bashkohet turit të takimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha, që do të zhvillohet pasditen e sotme, në orën 18:00, në Tiranë.

"Do të bashkohem me demokratët e ndershëm e të vërtetë", thotë Nishani nëpërmjet një postimi në Facebook.

"Unë do të bashkohem me demokratët e ndershëm e të vërtetë. Sot në Rogner, në 18:00 ! Për një PD të Bashkuar, të Fortë e Fituese ! Jo më PD, Peng i regjimit të korruptuar majtist !", ka shkruar Bujar Nishani në Facebook.

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha ditën e sotme (16 shtator) do të zhvillojë takimin e parë me bazën lidhur me vendimin e Lulzim Bashës, për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së.

Zoti Berisha njoftoi dje me anë të një postimi në Facebook se "ditën e sotme në orën 18:00 nis ciklin e “Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur.” 

Foltorja do të jetë një bashkëbisedim me demokratët që nis në Tiranë dhe do të udhëtojë në të gjithë vendin.