Merkel, “Yll” Në Shqipëri, vizita dhe mesazhet në Tiranë të “kumbares politike” të Ballkanit
Angela Merkel zhvilloi vizitën e dytë në Shqipëri në cilësinë e Kancelares gjermane.
Në Rinas ajo u prit nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ndërsa në ceremoninë e mirëseardhjes ishte kryeministri Edi Rama që priti Kancelaren. Kjo është vizita e dytë e Kancelares në Shqipëri, ku në fokus ka qenë bashkëpunimi rajonal.
Kancelarja gjermane pas takimeve në Serbi ka zbritur në tokën shqiptare në orën 9:45 minuta.
Me një xhaketë bojëqielli dhe me të njëjtin stil të ruajtur ndër vite, ajo u u prit nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe ambasadori gjerman në Shqipëri Peter Zingraf.
Nën masa të rrepta sigurie delegacioni gjerman u nis drejt Pallatit të Brigadave, ku u prit nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Shtrëngimi i duarve u shkëmbye me trokitjen tre herë të grushteve si simbol i masave anti-Covid.
Në ceremonialin e Gardës së Shqipërisë për kancelaren Merkel dhe kryeministrin Rama ishin përshtatur dy vende për tu ulur, ndërkohë që interpretoheshin himnet kombëtare.
Ceremonia u spostua në ambientet e Pallatit të Brigadave, ku Rama e Merkel zhvilluan një bisedë kokë më kokë që zgjati rreth 30 minuta.
Pikërisht në këtë takim, kreu i qeverisë shqiptare i dha medaljen "Ylli i Mirënjohjes", ku nuk munguan as batutat.
Diskutimet zyrtare u zhvilluan më tej në tryezën e posaçme me kreret e Ballkanit Perëndimor, ndërsa surprizë ishte pjesëmarrja e kryeministres së Serbisë Ana Bernabiç.
Me mesazhet për bashkëpunimin mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duket se Kancelarja gjermane do të vulosë dhe nisjen e tërheqjes nga detyrat e larta politike në Gjermani.
Kronike e përgatitur nga TV Ora News

