Ndërtoi pa leje te “Kurora e qytetit”, arrestohet 49-vjeçari në Sarandë
Një 49-vjeçar është arrestuar nga policia e Sarandës, me akuzën e ndërtimit pa leje. Sipas uniformave blu është prangosur shtetasi Aleksandër Rica, 49 vjeç, banues në Sarandë.
Policia bën me dije se më herët u vunë në pranga 4 shtetasit e kontraktuar nga 49-vjeçari, për ndërtimin pa leje të një objekti, në zonën e mbrojtur të quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë.
49-vjeçari dyshohet se ka kontraktuar 4 punëtorë (të vënë në pranga nga Policia më herët), për ndërtimin e një objekti (vilë), po ashtu ky shtetas dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e autoriteteve kompetente dhe 2 objekte të tjera, të ndërtuara po në vendin e quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë, e cila është zonë e mbrojtur.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Aleksandër Rica, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak.
Policia bën me dije se po vijon punën për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë përgjegjësi për mosverifikimin e ndërtimeve dhe pronave, në proces legalizimi, të këtij shtetasi, në një zonë të mbrojtur, të qytetit të Sarandës.
Materialet në ngarkim të 49-vjeçarit kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
