Prag tragjedie në Astir, dyshime se ashensori ra nga mbipesha

Ky është i njëjti ashensor si ai që një natë më parë rrezikoi jetën e 5 personave.

Dhe në këtë ashensor nuk është shënuar as pesha dhe as numri i personave që duhet të qëndrojnë në të.

Në momentin e incidentit, në ashensor kanë qenë 5 persona, tre djem dhe dy vajza, një prej të cilave shtatzënë.

"Më datë 12.09.2021, rreth orës 00:05, në Astir, dyshohet se në një pallat është shkëputur  ashensori. Si pasojë është dëmtuar shtetasja M. Q, e cila pas marrjes së mjekimit, u largua për në banesë, dhe një shtetase tjetër, ende e paidentifikuar e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve" njofton policia.

Banorët thonë se kanë dëgjuar një zhurmë  të fuqishme  në orën 00:05 të mbrëmjes dhe menjëhere kanë dalë për ti dhënë ndihmën e parë.

Mësohet se  ashensori  është shkëputur me një kat por për fat është bllokuar në katin tjetër, duke mos rrëshqitur deri në fund.

Kjo ka mundësuar që personat e bllokuar të dilnin me vështirësi nga ashensori për t'iu dhënë ndihma e parë.

Dyshimet e para janë se shkak për ngjarjen mund të jetë bërë mbipesha pasi sipas banorëve në ashensor mund të ketë patur më shumë se 5 persona,  dy kanë qenë banore  të pallatit dhe të tjerët mysafirë që u kishin ardhur dhe ishin në zbritje nga kati i katërt.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe policia, e cila njofton se si rezultat i rënies së ashensorit janë plagosur dy vajza, ku pas marrjes së ndihmës mjekësore njëra larguar për në banesë, ndërsa tjetra ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Menjëhere është ngritur një grup hetimor për të përcaktuar shkaqet e rënies së ashensorit.

Në polici është shoqëruar administratori i pallatit dhe përgjegjësi teknik i   mirëmbajtjes së ashensorit që ishte  kontraktuar nga një kompani private, ndërsa një grup ekspertësh  po punojnë për të përcaktuar shkaqet e incidentit.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, i cili  ka sqaruar se ashensori nuk ka qenë i regjistruar pranë ISHMT-së dhe nuk është inspektuar nga një trupë e autorizuar siç e parashikon ligjit, detyrë kjo që i takon administratorit të pallatit.