Rimëkëmbja e turizmit, në Sarandë ka ende pushues, pritshmëri deri në fund të muajit

Edhe pse sezoni turistik është mbyllur në rrugët dhe plazhet e Sarandës ka ende pushues.

Vetë operatorët turistikë besojnë se deri në fund të shtatorit qyteti do të ketë turizëm.

"Besoj se deri në fund të muajit shtator, para se ët fillojë shkolla lëvizja do të jetë e pëlqyeshme për Sarandën. Do të ketë lëvizje nga të huajt dhe këtë e shohim me prurjet e trageteve."

Sezoni që po lëmë pas, ka qenë një sezon surprizë për numrin e vizitorëve që zgjodhën të kalojnë pushimet në qytetin e jugor.

Përfundimi i Lungomares, turizmi detar me shërbim të shtuar të anijeve dhe lehtësirat protokollare për Covid-19, ishin disa nga arsyet që dyndën turistët në Sarandë.

"Së pari shëtitorja bëri punën e vet, së dyti shërbimi i ri i anijeve por edhe argëtimet e darkës pavarësisht se rregullat ishin prezente."

Vetë natyra e turistëve juglindorë që nuk shpenzojnë detyroi hotelierët të ulnin çmimet në 30%.

"Kishte një punë relativisht të mirë, klientela nuk ishte si perëndimorët por që u detyrua hoteleria të ulte çmimet. Ka pasur një ulje çmimesh rreth 30% më poshtë se para dy vjetësh."

Turizmi në vendin tonë nisi të rimëkëmbet këtë vit, pas një sezoni të vështirë të 2020,  ku shumica e shteteve të botës ishin të mbyllura për shkak të koronavirusit.