Vrasja e Sabrinës, Qyno: Urdhrat e mbrojtjes si busull bakalli, nuk ndëshkohen as ata që lirojnë vrasësit
Ora News siguroi ditën e djeshme (11 shtator) ekskluzivisht vendimin e gjyqtarit të Fierit, Piro Sota, që liroi nga spitali psikiatrik i Zaharisë, Elton Bengaj alias Meta, vrasësin e 23-vjeçares Sabrina Bengaj.
Me vendimin e plotë të datës 26 korrik 2021, Piro Sota, prokurori Tafilaj dhe mjekët kanë qenë dakord për kalimin e Bengaj nga spitali psikiatrik në Zahari të Krujës në marjen e mjekimeve ambulatore në ambientet e shtëpisë.
Pavarësisht se viktima Sabrina Bengaj kishte një urdhër-mbrojtje nuk arriti t'i shpëtonte plumbit të ish-bashkëshortit.
Gazetari Elton Qyno i ftuar në studion e Ora News u shpreh se urdhrat e mbrojtjes janë bërë si fletët e bakallit pasi në 99% të rasteve që Gjykata lëshon një urdhër mbrojtje policia nuk është në gjendje ta mbikëqyrë.
Qyno: "Urdhrat e mbrojtjes janë bërë si ato letrat e bakallit, më falni që po e shpreh në këtë formë, por realiteti ky është. E cilësoj të tillë sepse jemi në kushtet kur për çdo zënkë ose situatë të pakëndshme në ambiente familjare i dëmtuari shkon në polici dhe kallëzon një kallëzim penal. Në këtë moment policia e fut kallëzimin penal në sistemin e Gjykatës duke kërkuar urdhrin e mbrojtjes. Problemi fillon që ti nuk mund të ndash me një urdhër mbrojtje një çift bashkëshortësh të cilët kanë një të kaluar konfliktesh dhe jetojnë brenda një shtëpie. Pra ti nuk je në gjendje si shtet të përcaktosh se ku duhet të fusësh burrin ose gruan. Gati 99% të rasteve të urdhrave të mbrojtjes policia nuk i mbikëqyr dot."
Gazetari i Ora News u shpreh se ka pasur dhe raste të tjera si ai i Sabrina Bengaj që kanë mbetur viktima si pasojë e urdhrave të gjykatësve. Por, sipas Qynos sistemi i drejtësisë nuk ka inspektuar apo ndëshkuar asnjë person, qoftë gjyqtar apo prokuror që ka lëshuar këta urdhra për lirimin e personave që më vonë kryejnë krime.
Qyno: "Ka pasur shumë raste si ai i Sabrina Bengaj që kanë mbetur viktimë si pasojë e një vendimi Gjykate. Dhe në rastet e tjera prokurorët apo gjyqtarët kanë liruar gratë apo burrat dhe pas një jave, dy javësh apo qoftë dhe pas 1 dite është prodhur krimi i rëndë. Dhe nuk është inspektuar ky prokuror apo gjyqtar, qoftë dhe të merrte një vendim vërejtjeje për dosjen e tij. Nuk besoj se do bëhet dhe në ditët në vazhdim sepse ky format është. Në momentin që ti vendos formatin e mosndëshkueshmërisë të këtyre personave, nuk besoj që gjyqtarët dhe prokurorët të ndëshkohen edhe në vazhdim për lirimin e këtyre personazheve."
Sipas gazetarit, pandëshkueshmëria e gjyqtarëve apo prokurorëve do të vazhdojë pasi i tillë është krijuar formati i drejtësisë.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku