Me diplomë në kurset profesionale, të rinjtë nuk gjejnë punë pas universitetit
Ka përfunduar studimet e larta por diploma në programin e Historisë nuk ka mundur t'i sigurojë një vend pune.
Për tu integruar më shpejt në treg, Maria është regjistruar në kursin e parukerisë pranë drejtorisë së formimit profesional numër 1 në kryeqytet.
“Ishte pasion dhe vendosa ta ushtroj. Motiv tjetër edhe punësimi.”
Ndërsa Klaudia ka zgjedhur të mos e nisë Universitetin por të ndjekë pasionin e saj për kuzhinën.
Ajo udhëton çdo ditë nga Laçi drejt Tiranës me shpresën se në përfundim të kursit do të gjejë punën e dëshiruar.
“Kam zgjedhur formimin profesional për tu integruar më shpejt në tregun e punës. Kam zgjedhur pastiçerinë.”
Drejtoresha Hanëme Mata thotë se edhe këtë vit interesi për programet e formimit profesional është i lartë.
Më tepër kërkesa ka në kurset e kuzhinës dhe parukerisë ndërsa frekuentuesit janë të çdo moshe.
Për personat e papunë programet ofrohen falas ndërsa për të tjerët çmimet variojnë nga 4-7 mijë lekë.
Çdo vit Drejtoria e Formimit Profesional ka pajisur me certifikatë rreth 4 mijë persona ndërsa dokumenti vlen edhe për ata që kërkojnë mundësi punësimi jashtë Shqipërisë.
