"Goditje e rëndë për PD-në", Çobani: Përjashtimi i Berishës do ketë kosto

Ditën e sotme u shënua 23 vjetori i ekzekutimit të liderit historik Azem Hajdari. Ajo që u vu re ishte mungesa e ish-kryeministrit demokrat Sali Berisha në përkujtimoren e organizuar.

Gazetari Genci Çobani i ftuar në studion e RTV Ora i pyetur nëse ky është një sinjal që përplasjet në PD do të shkojnë më tej u shpreh se vendimi i Bashës ka të bëjë me atë që quhet dezinstalim i klasës së vjetër politike.

Çobani: "Vendimi i Bashës për të përjashtuar Berishën nuk është i lehtë pasi ne e dimë se cili është Berisha, influencën e tij në këtë parti. Për mendimin tim nuk ka të bëjë me një aferë, por ka të bëjë me një dezinstalim i klasës së vjetër politike. Berisha ishte i fundit në këtë klasë. Ka ndodhur kudo në botë zëvendësimi i klasës së vjetër me klasën e re, natyrisht jo me ndërhyrjen e ambasadës amerikane."

Sipas Çobanit, përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar është një goditje e rëndë për PD-në dhe do të ketë kosto.

Çobani: "Nëse Berisha nuk do të kishte rikandiduar, nuk do të kishte arritur puna te "non grata." Edhe përjashtimi i tij nga grupi parlamentar filloi te shpallja "non grata." Është një goditje e rëndë për Partinë Demokratike sepse Berisha është ai që është, e njohim të gjithë, kontributin e tij në PD, pozitiv apo negativ nuk ka rëndësi, por është një person shumë influent. Do ketë një kosto. Ajo që nuk i intereson botës, kur flas botës flas  për ata që drejtojnë dhe mund të kenë influencë absolute në Shqipëri, siç mund të jetë BE dhe Amerika është largimi i heronjve. Jo në kuptimin simbolik, por nëse do flisnim për kalimin e Shqipërisë nga diktatura në demokraci zoti Berisha mund të quhet një hero në atë moment, në atë revolucion. Ishte një revolucion sepse përmbysi një parti, solli një parti tjetër. Ishte një hero sepse drejtoi një parti që njihet si simbol i rrëzimit të diktaturës."

Gazetari u shpreh se Berisha është një person influent në parti dhe në Shqipëri dhe për këtë arsye largimi i tij shkaktoi polemika të shumta.

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku