Në burg drejtori i IKMT-së Dibër, prokurori: Ishte në përgjim, ndërhymë kur po tërhiqnin paratë nga bankomati

Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka  caktuar  masën e sigurisë “arrest në burg” për drejtorin e IKMT në Dibër, Lutfi Miftarin.

E njëjta masë u caktua edhe për Eljo Elezin, administrator i kompanisë “H4 CHROM”.

Të dy  të pandehurit akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv dhe sipas policisë kapja e tyre është bërë në flagrancë. 

Para gjykatës dy të arrestuarit e kanë mohuar akuzat. Ata kanë pretenduar se nuk kanë kryer asnjë korrupsion ndërsa ne lidhje  me  sasinë e parave që iu gjet Elezit, ai ka deklaruar se e ka tërhequr për të kryer detyrimet për familjen.

Prokurori i çështjes  Sotir Kllapi ka  bërë me dije se  se të dy personat kanë qenë në pergjim, ndërsa është ndërhyrë nga policia në momentin që Elezi ka tërhequr paratë nga bankomati për t'ia dhëne drejtorit te IKMT-së, si ryshfet për të mos nisur procedimin për shkeljet që i janë konstatur në kompani.

Arrestimi i tyre u bë me 10 shtator, gjatë finalizimit të operacionit të koduar “Bankomati”.

Drejtori i IKMT-së Miftari akuzohet se abuzoi me detyrën duke marrë ryshfet nga administratori i kompanisë Eljo Elezi shumën prej 50.000 lekë të rinj, për të mos filluar procedurën për shkeljen e konstatuar tek ky subjekt nga grupi i kontrollit për mungesën e dokumentacionit, si lejen mjedisore e dokumente të tjera.

Gjatë kontrollit të banesës së Miftari, policia gjeti dhe sekuestroi  në cilësinë e provës materiale 29.500 Euro, 1300 Dollarë dhe 896.000 lekë të rinj.