Homazhet për Azem Hajdarin, Basha shmang mediat, ceremoni pa Berishën dhe familjarët e Heroit të Demokracisë
Demokratët kanë përkujtuar 23-vjetorin e vrasjes së heroit të demokracisë Azem Hajdari. Por siç nuk ka ndodhur në 22 vitet e shkuara, ceremonia është zhvilluar pa praninë e ish-liderit Sali Berisha dhe familjarëve të Hajdarit.
Në këtë material të shpërndarë nga zyra e shtypit të PD-së, vihet re se ceremonia është zhvilluar e kufizuar, ndërsa Lulzim Basha teksa ka vënë kurora me lule pranë memorialit, shoqërohej nga nëkryetarët e Partisë Demorkatike, kryetari i grupit parlamentar dhe Sekretari i Përgjithshëm.
Rtv Ora u interesua për këto zhvillime, ndërsa burimet pranë zyrës së ish-kryeministrit thanë se Sali Berisha, nuk është ftuar nga Parti Demorkatike në këtë ceremoni. Për këtë pretendim u pyet edhe selia blu, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje.
Ish-lideri demokrat, në rrjetet socilae shkruan se kujtimi i ndritur i Azem Hajdarit eshte kushtrim per çdo demokrat dhe demokrate, të rikthejnë me urgjencë Partinë Demokratike mbi parimet bazë mbi te cilat ajo u themelua.
Ai nuk i kurseu akuzat për Lulzim Bashën.
“Sot demokratet dhe demokratët frymezohen me shume se kurre me pare nga trimeria epike, guximi mbinjerezor i Azem Hajdarit per tu ngritur dhe flakur sa me pare ne koshin e plehrave te historise, rregjimin e kakistokracise dhe tradhetise se larte kombetare te Zografit Bis dhe vegles te tij mjerane ne krye te PD” .
Ndërsa Lulzim Basha, e përkujton Azem Hajdarin, si njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci.
“Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa”.
E bija e heroit të demokracisë Azem Hajdari, ish-deputetja Rudina Hajdari e ka përkujtuar babanë e saj nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetet sociale, pa iu ndarë mesazheve politike.
“Nëse atëherë të internonin apo burgosnin kur nuk mendoje në linjën e partisë, sot të përjashtojnë dhe lincojnë publikisht. Nëse atëherë të pushkatonin fizikisht, sot të pushkatojnë politiksh dhe ekonomikisht. Shqipëria do të dalë nga kjo situatë kur shumica e shqiptarëve të kuptojnë se mirëqënia dhe zhvillimi nuk vijnë nga lideri i fortë por nga sistemi i drejtë dhe institucionet e forta të cilat garantojnë demokracinë, lirinë dhe barazinë”.

Heroi i demokracisë Azem Hajdari u përkujtua edhe nga presidenti Ilir Meta, i cili shkruan se energjia dhe guximi i tij duhet të frymëzojnë përpjekjet tona për një Shqipëri si gjithë Europa.


