Skandali me testet e shpejta/ Zbulohet laboratori ilegal në Durrës. 483 udhëtarë morën test fals

Një tjetër skandal i falsifikimit të testeve anti-Covid është zbuluar në Durrës.  5 persona u vunë në pranga dhe një tjetër u shpall në kërkim, pasi kishin ngritur një laborator të palicensuar. Sipas policisë pajisën me teste të shpejta false rreth 500 persona që udhëtuan drejt Italisë.

Testi i shpejtë negative për Covid është një prej kushteve për të lëvizur mes shteteve në këto kohë të pandemisë së Koronavirusit.

Këtë situatë, 6 të rinj nga Tirana e Durrësi e kishin shfrytëzuar për të ndërtuar një aktivitet të paligjshëm me qëllim përfitimin.

Ata kishin ngritur në Lagjen 4 të qytetit të Durrësit një laborator të palicensuar për kryerjen e testit të shpejtë

Sipas policisë aty u pajisjen me test të rremë të paktën 483 shtetas të cilët do udhëtonin në drejtim të Italisë.

Kjo veprimtari sipas burimeve ka zgjatur për një kohë të gjatë, duke shfrytëzuar situatën e  pandemisë dhe kërkesat e shumta të shtetasve që udhëtojnë jashtë vendit gjatë sezonit të verës.

Cmimet për testin fals mësohet se nisnin me 3000 lek por edhe më shumë kur udhëtari kishte emergjencë.

Pas informacioneve, policia e Durrësit organizoi këtë fundjavë Operacionin “Laboratori”.

5 persona mes të cilëve tre gra të përfshira u vunë në pranga dhe një I 6 u shpall në kërkim!

Të arrestuarit janë:

 E. H 34 vjeçe, 

E. A, 24 vjeç, 

E. Ç, 29 vjeç,  

A. S, 24 vjeçe,

A P, 25 vjeçe.

Ndaj tyre janë ngritur akuzat “Mashtrim”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Moskallëzim krimi”.

Gjatë periudhës së pandemisë janë zbuluar disa raste të laboratorëve që falsifikonin teste të Covid kundrejt pagesës.