Hoti: Pse nuk jam dakord me Ramën se influenca e Rusisë dhe Kinës në rajon është mit
Në samitin e fundit të mbajtur në Slloveni për të ardhmen e Europës kryeministri Rama adresoi kritika të forta ndaj BE se po zvarrit procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
Dritan Hoti, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare, i ftuar në Ora News përballë gazetares Matilda Mcini, ndan të njëjtin shqetësim me Ramën duke deklaruar se stanjacioni sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor është një gabim strategjik i BE.
Por Hoti nuk bie dakord me kryeministrin shqiptar kur thotë se influenca e Rusisë dhe Kinës në rajonin tonë është një mit.
Hoti: Gjithë elita politike shqiptare, përfshirë dhe Ramën kanë një instikt pragmatist, ata e dinë se marrëdhëniet e Shqipërisë dhe botës shqiptare me SHBA vlejnë më shumë, peshojnë më shumë se marrëdhëniet e Shqipërisë me BE.Por nga ana tjetër e dinë që integrimi i Shqipërisë në BE është diçka organike. Stanjacioni sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor është një gabim strategjik i BE që vjen nga një mosdashje e disa shteteve, historike dhe institucionale,përkudrejt botës shqiptare dhe këtij rajoni, disa kontraditave institucionale burokratike që ekzistojnë dhe gjendjes në të cilën ndodhet BE aktualisht. Por në lidhje me Ramën nuk jam dakord kur deklaron se është një mit influenca e Rusisë dhe Kinës në rajonin tonë dhe botën shqiptare.
Në rajonin tonë nuk është një mit, ata kanë shtete dhe struktura të sofistikuara dhe penetrimin e kryejnë përmes një modusoperanti të tyre. Në botën shqiptare nuk kanë terren por mund të tentonin të krijojnë një lloj çrregullimi në gjirin e elitave politike shqiptare. Në këtë stad që jemi nuk munden më. Në Shqipëri ky rrezik nuk është ekzistent por rreziku është në vendet e tjera ku ka popullsi skllave dhe ku është elementi ortodoks që luan një rol kyç. Por Rama duhet të kuptojë se rivaliteti midis superfuqive SHBA, Kinë, Rusi nuk po zhvillohet vetëm në Europën juglindore por në të gjithë kontinetin europian. Ballkani që është një derivat i vogël, këto skema përçohen në mënyrën më tradicionale dhe klasike.

Sa i takon strehimit të afganëve në vendin tonë, Hoti thotë se ka qenë një kërkesë e SHBA-ve.
Hoti: Ardhja ka një pistë orientuese, ka qenë kërkesë e SHBA pasi ishte supërfuqi e angazhuar në një dinamikë 20 vjeçare. Mbërritja e tyre është e arsyeshme, njerëzore por ka edhe disa norma etike të së drejtës ndërkombëtare që garantojnë një lloj azili.
Ai thotë se shpreson që ky vendim dhe protagonizmi i Ramës të mos ndikojnë në proceset e brendshme të vendit.
Hoti: Ai do të tentojë sipas stilit të tij, do ta paraqesë veten si një aleat i patundur në çdo rrethanë përkundrejt kërkesave që vijnë nga SHBA por nuk mendoj se kjo do të ndikojë në proceset që pritetet të ndodhin në Shqipëri. Kemi më shumë se një vit që të bëhen funksionale institucionet e reja të drejtësisë, kompasi i të cilave të përfshijë jo vetëm nivelet e mesme dhe të ulëta por të gjithë atë që quhet elita politike nëse janë të kompromentuar në çështje të korrupsionit.
Duke analizuar situatën në Afganistan, Hoti thotë se Afganistani do të jetë një element kyç sërish i gjeopolitikës dhe gjeoekonomisë në Azinë qendrore.
Hoti: Do të jenë Pakistani, janë problemet e Rusisë, janë problemet e Indisë që lidhen me Pakistanin dhe janë problemet e Kinës. SHBA janë edhe më larg nga ana gjeografike përsa i përket Afganistanit. Mund të shndërrohet në një territor rivalitetesh ndërmjet fuqive rrethuese që janë dhe fuqi aziatike në të njëjtën kohë.