Vjeshta po troket, fundjava nis me vranësira dhe reshje lokale dhe përfundon me rrebeshe shiu

Verës duket se po i vjen fundi. Me ardhjen e shtatorit zyrtarisht duket se po hyjmë në vjeshtë dhe kjo fundjavë do të jetë guri i parë i provës.

Sipas MeteoAlb, ditën e nesërme territori shqiptar në orët e para të ditës do të jetë në mbizotërimin e kthjellimeve dhe kalimeve të pakta të vranësirave. Por parashikohet që në vijim vranësirat kalimtare të shfaqen në të gjithë vendin, ku më të dukshme vranësirat do të jenë në zonat Veriore, duke krijuar mundesi për reshje të pakta. 

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes, por ulen në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 13°C deri në 30°C.

Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe e fortë në det me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi Perëndimor duke krijuar dallgëzim 2 ballë.

E njëjta situatë paraqitet edhe në orët e para të së dielës. Sipas MeteoAlb, vendi ynë që në orët e para të ditës do të jetë me vranësira të shumta dhe kthjellime të pakta.

Por në oret e mesditës dhe pasdites vranësirat do të pësojnë zhvillim duke sjell rrebeshe shiu, ku më të dukshme shirat do të jenë në zonat Jugore.              

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 14°C deri në 31°C.

Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi Verior – Veriperëndimor duke krijuar në det dallgëzim mbi 4 ballë.

Alarmin për stuhi shiu dhe breshëri e kanë dhënë dhe mediat greke. Sipas Observatorit Kombëtar të Athinës do të ketë rënie të ndjeshme të temperaturave nga pasditja e së dielës dhe që do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme.