"Luftë" abuzuesve brenda KLSH-së, kryetari Shehu apel qytetarëve: Denonconi abuzimet gjatë auditit

Për herë të parë në historinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kreu i këtij institucioni ishpall "luftë" abuzuesve të mundshëm brenda tij.

Në një komunikatë zyrtare të publikuar në faqen e internetit, është vendosur në dispozicion një adresë e-maili dhe numër telefoni për të gjithë subjektet që janë objekt kontrolli dhe hasin shkelje nga ana e punonjësve.

Me këtë lëvizje duket se punonjësit apo drejtuesit e institucioneve mund të denoncojnë padrejtësi që konstatojnë apo që mund tu bëhen atyre.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu bën apel për qytetarët dhe institucionet të denoncojnë të gjitha rastet që konstatohen shkelje nga punonjës të institucionit të KLSH-së, duke garantuar ruajtjen e anonimatit.

“Institucionet që janë objekt i kontrollit nga KLSH, apo qytetarë që kanë konstatuar abuzime nga punonjës të KLSH janë të lutur t'i adresojnë pranë institucionit përmes postës elektronike në adresën e email-it [email protected] ose me sms në numrin e telefonit +355 676128162, për të bërë të mundur vendosjen përpara organeve ligjzbatuese të çdo individi që abuzon me detyrën. KLSH garanton ruajtjen e anonimatit dhe ndjekjen e çështjes deri në fund duke bashkëpunuar me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit për rastet e dyshuara si shkelje të ligjit penal nga punonjës të KLSH.”

Gjithashtu KLSH do të bëjë përgjegjës para ligjit çdo punonjës të institucionit që nuk kallëzon aktet e korrupsionit aktiv të kryera nga punonjës të subjekteve në auditim.