Agim Nesho: Ka kohë që nuk ka një qeveri shqiptare. Kemi një kryeministër e sekretarë
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, diplomati Agim Nesho, është shprehur se ka kohë që nuk ka një qeveri shqiptare, pasi është Kryeministri ai që zotëron skemën politike të vendit, ndërkohë që ministrat nuk marrin përgjegjësinë që u takon.
Ai thotë se në vendin tonë kemi një regjim të instaluar autokratë, dhe se kemi një Kryeministër e sekretarë që përpiqen të jenë të pëlqyeshëm ndaj këtij të fundit.
"Unë nuk prisja asgjë nga kjo qeveri. Ka kohë që nuk ka një qeveri shqiptare, në konceptin që Ministrat marrin përgjegjësinë. Këtu kemi një Kryeministër që zotëron skemën politike të vendit. Ka kapur të gjitha institucionet e shtetit, është një njeri që vendos në mënyrë direkte pa një transparencë dhe llogaridhënie përpara popullit të tij. Kemi një regjim të instaluar autokratë. Dhe në këtë kuptim kemi një Kryeministër dhe disa sekretarë të cilët më tepër përpiqen të jenë të pëlqyeshëm përpara qeverisë sesa të bëjnë punën, angazhimet dhe përgjegjësinë që kanë përpara Kushtetutës dhe popullit shqiptar. Në këtë kuptim kjo qeveri është në vazhdim të qeverisjeve të tjera."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.
