Covid-19 u merr jetën 4 anëtarëve të një familjeje në Maqedoninë e Veriut, mes tyre 36-vjeçarja

Katër anëtarë nga e njëjta familje në Tetovë kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit nga Covid19.

Mediat në Maqedoninë e Veriut, kanë bërë me dije se 3 prej tyre kanë humbur jetën në shtëpia, ndërsa njëri në spital.

Viktima më e re ishte në moshën 36-vjeçare, e cila vuante nga obeziteti, ndërkohë edhe familjarët e tjerë vuanin nga sëmundje të rënda.

 “Kanë ndërruar jetë në kushte shtëpiake mirëpo të tre me komorbiditet. Pacientja më e re e moshës 36 vjeçare ka qenë me obezitet, sëmundje gjinekologjike dhe sëmundje të tjera të rënda shoqëruese, gjithashtu edhe prindërit i ka pasur me sëmundje të rënda. Prindi ka qenë me kancer në fazën terminale ndërsa e ëma me kardiomiopati. Faktori gjenetik luan rol shumë të madh në këtë betejë”, deklaroi Miranda Pajaziti, Qendra Covid, Tetovë.