Skaduan dje, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës heq nga tregu mbi 133 mijë vaksina
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka hequr nga administrimi 133 mijë e 234 vaksina AstraZeneca, të cilave u ka skaduar afati ditën e djeshme.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vet ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se të njëjtat kanë qenë donacion nga Norvegjia.
Ai tha se ka pasur shumë dezinformata edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës rreth afatit të këtyre vaksinave. Sipas tij, kjo ka ndikuar në uljen e interesimit të qytetarëve të Kosovës për të marrë këtë vaksinë.
Vitia shtoi se Kosova ka doza të mjaftueshme, teksa informoi se vaksinimi nga java tjetër do të fillojë edhe në ditët e vikendit.
Ai bëri të ditur se në qendrat e vaksinimit aktualisht në nivel vendi janë 108 mijë e 856 doza Pfizer dhe 46 mijë e 947 doza AstraZeneca.
Vitia: Sot janë hequr nga administrimi 133 mijë e 234 vaksina nga kompania AstraZeneca pjesë e donacionit nga Norvegjia të cilave iu ka skaduar afati. Natyrisht se kjo nuk është një lajm i mirë, si MSH qysh në fillim kemi lajmëruar se afati i tyre është 31 gushti i këtij viti. Pavarësisht kësaj ka pasur edhe shumë dezinformata përfshirë fatkeqësisht këtu edhe deputetë të Kuvendit të Republikës për afatin e këtyre vaksinave. Përveç të tjerash kjo ka ndikuar dukshëm në uljen e interesimit të qytetarëve për të marrë këtë vaksinë deri në refuzim të marrjes së këtyre vaksinave. Natyrisht ashtu siç e kemi cekur disa herë, në ballafaqim me pandeminë e sidomos pas përhapjes së variantit delta ne nuk jemi në situatë kur duhet të zgjedhim vaksinat, sidomos kur ato janë të sigurta.
Vitia theksoi se për të dhe qeverinë ka qenë e rëndësishme siguria dhe cilësia e vaksinave, e për këtë tha se nuk kanë pasur dhe as nuk do të kenë kompromis.
