"Paradoksale vonesat për zgjerimin e BE-së", Sasoli: Vendeve t'u jepen afate të sakta

Bashkimi Europian po bie në kundërshtim me vetveten duke i mohuar vendeve të Ballkanit Perëndimor anëtarësimin në vatrën e BE-së.

Liderët e rajonit dhe zyrtarët më të lartë të unionit u takuan të mërkurën në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni.

Në panelin për të ardhmen e Europës, presidenti i Parlamentit Europian, David Sasoli, tha se BE-ja duhet të rishikojë qasjen ndaj procesit të anëtarësimit për Ballkanin.

Ai shtoi se vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo Serbia, janë zhgënjyer me të drejtë.

"Si është e mundur që nuk jemi në gjendje t'u tregojmë këtyre vendeve një tabelë me reforma dhe periudha të sakta kohore për t'i zbatuar ato. Ua kërkojmë vendeve të unionit dhe jo atyre që presin prej 10-15 vitesh për të hyrë në familjen tonë. Mendoj se kjo është paradoksale dhe se mekanizmat e anëtarësimit duhen korrigjuar, që Ballkani Perëndimor të mos shpresojë të pamundurën."

Bashkimi Europian i druhet influencës së huaj në rajon, kryesisht Rusisë e Kinës, dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban veçoi Serbinë si shtet kyç në aspektin gjeostrategjik.

"Ne shtetet e BE-së ia kemi më shumë nevojën Serbisë sesa na e ka ajo neve," tha Orbani, ndërkohë që panelisti përballë tij, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, shtoi kritikat ndaj Brukselit pse i devijon vazhdimisht premtimeve ndaj Tiranës e Shkupit, e ndoshta në të ardhmen e afërt edhe ndaj Beogradit.

"Dhe kur flasim për Serbinë, duhet thënë se kemi bërë progres me axhendën e sundimit të ligjit, por do të na thonë ‘është më mirë, por nuk është shumë mirë’ dhe pastaj dikush tjetër që s’ka rëndësi se kush, Rumania apo ndonjë tjetër, do të ketë vërejtjet e veta? Nuk po qahem por po them atë që është e vërteta."

Paneli i mesditës në forumin e Bledit trajtoi çështjet e BE-së, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu maqedonas Zoran Zaev dhe kolegu i tyre i Kosovës, Albin Kurti, e fokusuan mbasdite debatin posaçërisht te procesi i zgjerimit dhe bashkëpunimi rajonal sipas idesë së një Ballkani më të Hapur.

Për dy ditë me radhë, në qytezën sllovene janë planifikuar edhe tryeza të përgjithshme mbi Europën, rimëkëmbjen e saj nga pandemia dhe transformimin dixhital e të gjelbër të unionit.