Britani/ Miratohet kokteili i antitrupave për trajtimin e Covid-19

Rregullatori britanik i barnave ka miratuar një kokteil antitrupash nga kompanitë  'Regeneron' dhe 'Roche' për parandalimin dhe trajtimin e Covid-19, deklaruan dje përfaqësuesit e rregullatorit.

Agjencia Britanike për Barnat dhe Produktet Shëndetësore raportoi se të dhënat e provave klinike tregojnë se kokteili, Ronapreve, mund të ndihmojë në parandalimin e infeksionit, në trajtimin e simptomave të infeksionit të rëndë të COVID-19 dhe të zvogëlojë shanset për t’u shtruar në spital.

"Ky trajtim do të jetë një shtesë e rëndësishme për 'arsenalin' tonë për trajtimin e COVID-19," tha Ministri Britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid në një deklaratë.

Shtrimet në spital të pacientëve me COVID-19 tejkaluan 6,100  këtë javë, duke arritur nivelin më të lartë të pesë muajve.

Dy të tretat e pacientëve të shtruar në spital nuk ishin vaksinuar, sipas të dhënave të publikuara në fillim të këtij muaji.

Ronapreve, i njohur si REGEN-COV në Shtetet e Bashkuara, administrohet me injeksion ose me infuzion intravenoz. Ai lidhet fort me koronavirusin në murin e brendshëm të sistemit të frymëmarrjes dhe e pengon atë të fitojë qasje në qelizat e sistemit të frymëmarrjes, sipas MHRA.

Ronapreve i përket një klase ilaçesh të quajtura antitrupa monoklonalë, që imitojnë antitrupat natyrorë të prodhuar nga trupi për të luftuar infeksionet.

Ilaçi nuk ka për qëllim të përdoret si zëvendësim i vaksinimit, tha MHRA.Ronapreve / REGEN-COV është licencuar për trajtim urgjent të COVID-19 në më shumë se 20 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, i cili gjithashtu ka miratuar një trajtim të ngjashëm nga Eli Lilly për pacientët jo të hospitalizuar me COVID-19.

Në qershor, Bashkimi Evropian bleu rreth 55,000 doza të ilaçit ndërsa Agjencia Evropiane e Barnave po shqyrton ilaçin për miratim.