Rriten rastet e të infektuarve me Covid, riinfektime te personat e vaksinuar me dy doza

Shqipëria është përfshirë nga një valë e re infektimesh nga varianti i ri i koronavirusit. Nga informacionet e raportuara nga Ministria e Shëndetësisë është vënë re një rritje e incidences 2-javore në grupmoshën mbi 55 vjeç, por ka dhe një rritje edhe tek të rinjtë, pa përjashtuar edhe rastet e infektimeve me variantin Delta të virusit. Po ashtu po hasen dhe raste riinfektimesh të personave të vaksinuar.

Rastet me Covid-19 vijnë në rritje në vendin tonë. Jashtë kamerave të afërm të të prekurve, që po marrin shërbim në qendrën e vetme spitalore për të infektuarit me Covid, tregojnë se ndonëse janë vaksinuar me të dyja dozat sërish janë riinfektuar.

Por ajo që theksohet me forcë është fakti që personat e vaksinuar jo vetëm që po infektohen, por ata shtrohen në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, duke ngritur dyshime mbi efektshmërinë e vaksinave.

Ndërkohë të tjerë persona pranojnë se i dërgojnë të afërmit e tyre në Infektiv, vetëm pasi gjendja e tyre është përkeqësuar ndjeshëm.

Përballë kësaj situate Ministria e Shëndetësisë iu bën apel vazhdimisht qytetarëve të vaksinohet, pas siç është njoftuar gushti është muaji i hapur i vaksinimit.

Në raportin e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm ditën e shtunë rezultojnë 658 raste të reja, ku numrin më të lartë të të infektuarve e mban Tirana me 117 raste pozitive.

Sipas raporteve ditore, vërehet rritje e rasteve gjatë dy javëve të fundit, ku kryesisht të infektuarit janë grupmosha mbi 55 vjeç.

Por ky fakt nuk përjashton të rinjtë dhe as të vaksinuarit, nga targeti i të riskuarve për të prekur nga Covid apo dhe nga forma të tjera të tij, ku përfshihet dhe Delta.