Tha se keqpërdori 43 milionë për rrugën Prishtinë-Pejë, kur ishte kryeministër, ja përgjigja e Haradinajt

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratë së ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha në një konferencë për media se ka pasur keqpërdorime në projektin e autostradës Prishtinë-Pejë, kohë kur në qeverisje ishte Haradinaj dhe fondi i projektit ishte 43 milionë euro.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Haradianj, i është përgjigjur Muratit me kundër-akuza.

Ai ka kërkuar nga Murati që t’u tregojë qytetarëve se përse e bojkotoi gazin amerikan e po e sjell gazin rus në Kosovë.

Hardinaj ka hedhur akuza ndaj Muratit edhe për menaxhimin e pandemisë.

Postimi i plotë:

“Ministër Murati, etiketimet e ulëta nuk të shpëtojnë as ty e as shefin tënd nga dështimet e njëpasnjëshme”.

Tregoju qytetarëve ministër, pse po e bojkoton gazin amerikan e po e sjell gazin rus në Kosovë?!

Tregoju qytetarëve se nuk keni blerë asnjë vaksinë, dhe e keni bërë Kosovën “kampione botërore” për keqmenaxhim të pandemisë!

Trego ministër, pse nuk po bëni asnjë angazhim shtesë në situatën më të rëndë e me numrin rekord të vdekjeve këto ditë? Biles as shtesa për personelin shëndetësor e as për policinë?!

Tregoju qytetarëve, se përpos që hoqët taksën, nuk vendoset reciprocitetin, Serbisë ia hoqët edhe pengesën e fundit, taksën për prodhimet e subvencionuara nga Serbia, për të dëmtuar prodhimin tonë vendor!

Ende nuk keni treguar pse e keni angazhu Nexhat Krasniqin, famëkeqin e tenderëve!?

Trego për keqpërdorimet e buxhetit, për dhjetëra kontrata pa shpallje të nënshkruara, për anulim të projekteve kapitale!?

Dhe për fund, sqaroju qytetarëve që auditimi i brendshëm bëhet nga ti dhe punëtorët tuaj, ku shkruani çka ju teket dhe nuk është auditim profesional nga Auditori Gjeneral!

Sigurisht që keni nervozë dhe shqetësim nga sondazhet, që tregojnë se e keni marrë tatëpjetën. Fatkeqësisht nga të bëmat tuaja, po e pëson vendi dhe qytetarët.”- shkruan Haradinaj.

Deklarata e Muratit

“Tani kemi edhe dokumentin që dokumenton një keqpërdorim 43 milionë euro, që brenda atyre 43 milionëve ka mjaftë dyshime për të konstatuar se bëhet fjale për falsifikim të 12 milion eurove”, ka thënë Murati.