Vasili: Ideatori për shkatërrimin e zgjedhjeve vetëm Rama, largimet rëndojnë përgjegjësinë e tij
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasil, është shprehur se ideatori për shkatërrimin e zgjedhjeve të 25 prillit, është Kryeministri Edi Rama.
Teksa ka folur për dorëheqjen e Lefter Kokës, nga mandati, Vasili është shprehur se tërheqja e këtyre personazheve rëndon përgjegjësinë e Ramës, si shkatërruesi i zgjedhjeve.
Më tej shtoi se Rama futi në zgjedhje njerëz të inkriminuar, teksa shton se lënia e mandatit të këtyre të fundit nuk i shpëton nga drejtësia.
"Është e qartë se ideatori dhe përgjegjësi i vetëm për këtë shkatërrim zgjedhjesh është vetëm Edi Rama dhe asnjë lloj loje, e asnjë lloj kozmetike me largime apo gjoja tërheqje në kohë, apo tërheqje parakohe të këtyre personazheve nuk zbeh por rëndon përgjegjësinë e Edi Ramës, si shkatërruesi, tashmë e provuar të zgjedhjeve të 25 prillit.
Nuk ka asnjë lidhje lënia e mandatit me përballjen me drejtësinë. Drejtësia ka depozituar fakte shumë të rënda dhe të rëndësishme, të cilat nuk ka asnjë pazar që mund t’i shmang, pra thënë më thjesht, ne do lëmë mandatin dhe ju mos na ndiqni penalisht, nuk kanë asnjë lidhje. Edhe kandidimi ka qenë një faj për Edi Ramën, dhe është përgjegjësia e tij, që shkatërroi procesin zgjedhur duke futur të inkriminuar. Drejtësia duhet të kishte vepruar që dje.
Drejtësia është në një vonesë shumë të madhe. U ka dhënë kohë të inkriminuarve të kenë mundësi që sa të munden të fshehin gjurmët, të fshehin paratë e të bëjnë manovra të tjera, sepse një drejtësi e vonuar është në ndihmë të inkriminuarve, të korruptuarve, të kriminalizuarve, dhe nuk është ndihmë në zbardhjen e të vërtetës dhe të mbrojtjes të interesit publik. Te drejtësia ende nuk kam formuluar asnjë nuancë besimi, do ta formulojë një të tillë, kur ta shikojë me veprime konkrete. Sot kemi mosbesim dhe indinjatë tek drejtësia."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.
