Rama i shtriu dorën për bashkëpunim, Basha: Beteja jonë nuk është me PS, por kundër një pakice që ka kapur shtetin

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen që bëri mbrëmjen e sotme me deputetë të rinj dhe të  vjetër, i ka bërë sërish thirrje Partisë Demokratike, për bashkëpunim.

Pas deklaratave të tij ka ardhur dhe përgjigja nga Kryedemokrati Lulzim Basha, i cili shprehet se  beteja e tyre nuk është kundër Partisë Socialiste, por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Basha, shton se shqiptarët ia dinë dështimet, raportet ndërkombëtare ia kanë ekspozuar babëzinë dhe se askush nuk gënjehet nga ripërtypja e fjalimeve të vjetra të atij që ka varfëruar familjet shqiptare, duke lënë të nënkuptohet se fjala është për Ramën.

Beteja jonë dhe e shoqërisë shqiptare nuk është kundër Partisë Socialiste, por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish, me të cilët masakron zgjedhjet, kriminalizon politikën dhe shkatërron ekonominë. Shqiptarët i'a dinë dështimet, raportet ndërkombëtare i'a kanë ekspozuar babëzinë, askush nuk gënjehet nga ripërtypja e fjalimeve të vjetra të atij që ka varfëruar familjet shqiptare dhe ka degdisur gjysmë milioni shqiptarë.

Përballë këtij regjimi, kemi detyrën qytetare të bashkohemi dhe të punojmë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Platforma qytetare për demokracinë do të bëjë bashkë të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë që e duan ndryshimin dhe janë të vendosura të shpëtojnë vendin nga sundimi i një pakice që mban peng të ardhmen e tij."- shkruan Basha