Sulmet kundër Mark Markut, Gjekmarkaj i del në mbrojtje: Matuni mirë kur i mbushni grushtet me baltë

Agron Gjekmarkaj ka reaguar për dorëheqjen e Mark Markut, nga mandati i deputetit së PD.

Ai është shprehur se ata që mbushin grushtat me baltë për të rënë në sy si gardian të devotshëm duhet të maten mirë.

“Të gjithë ata që nxitojnë për një shkak, a një tjetër të hedhin baltë, të bëjne insinuata ndaj Markut për trille a komplekse, a thjeshtë për smirë, ndiej detyrimin t’ju them që Mark Marku është personalitet akademik, publik e politik me integritet të lartë e të pacënueshëm, njeri i vendimeve të guximshme të cilat lënë shije habie nga pas, por edhe shumë nevojë për reflektim e meditim. Duhet të maten mirë kur i mbushin grushtat me baltë për të rënë në sy si gardian të devotshëm.

Qytetarëve të Lezhes, Mirditës dhe Kurbinit, votuesve tanë, qytetarve dhe demokratëve ndiej për detyrë t’u them përpjekja do të jetë maksimale për t’i përfaqësuar për të mbajtur çdo premtim etik që së bashku me Prof Markun u bëmë gjatë fushatës elektorale për një përballje, të pashoqe, të pakompleksuar, dhëmb për dhëmb, e sy për sy, me qeverinë më banale e korruptive, më të keqen e më të pështiren e këtyre 30 viteve.”