Italia do të presë rreth 2500 afganë

Italia do të presë rreth 2500 afganë e janë rreth 1600 civilë që gjatë orëve të fundit kanë mbërritur në territorin italian.

Prej disa ditësh vazhdon pa ndërprerje ura ajrore e evakumit të civilëve afganë drejt Italisë.

Një ditë më parë ka mbërritur në aeroportin Fiumicino të Romës, avioni KC 767 i aeronautikës militare me në bord 211 civilë afganë, bashkëpunëtorë të misionit ushtarak italian në Afganistan.

Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka informuar se deri më sot janë rreth 1600 civilë afganë që kanë mbërritur në Itali e plani është që numri i tyre të shkojë në 2500. 

Civilët afganë janë bashkëpunëtorë të misionit ushtarak italian në Afganistan që së bashku me familjet e tyre janë evakuuar drejt Italisë.

Po gjatë ditës së djeshme në bazën ushtarake ajore-detare amerikane në Sigonella të Siçilisë ka mbërritur një avion me shtetas amerikanë e civilë afganë nga Afganistani.

Në një notë zyrtare informohet se "kjo bazë ushtarake është zgjedhur për evakuimin e sigurtë të qytetarëve amerikanë, për azilkërkuesit specialë e për civilët afganë në nevojë. I gjithë procesi po kryhet në bashkëpunim e në konsultë me Aeronautikën ushtarake italiane."

Mediat italiane zbardhin se personat e evakuuar e që kanë mbërritur në bazën ajrore-detare amerikane në Sigonella të Siçilisë do të qëndrojnë aty përkohësisht e më pas do të transferohen në SHBA.

Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, duke informuar mbi krizën afgane është shprehur se gjatë ditëve e javëve të ardhshme kërkesa për të strehuar refugjatë e emigrantë nga Afganistani do të vijë në rritje.

"Është e nevojshme, tha ai, të përpunojmë një përgjigje të përbashkët me Bashkimin Europian."

 Gjithashtu, Ministri i Jashtëm italian e konsideroi të domosdoshme që në një moment të tillë e përballë një krize kaq të rëndë afgane, është e domosdoshme të forcohet aleanca perëndimore e jo të vihet në diskutim.

Mbi të drejtat e grave në Afganistan, kreu i diplomacisë italiane ka informuar se do të diskutohet në një sesion special të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB ditën e martë, 24 gusht 2021, ndërsa mbi rrezikun e terrorizmit në Afganistan, ai theksoi rëndësinë e përfshirjes në luftën kundër tij dhe të Rusisë e Kinës, si aktorë të padiskutueshëm të rëndësisë së këtij skenari shqetësues.