Rusia ekspozon automatikun e ri "Kalashnikov", ka gjatësi 41 cm

Forcat e armatosura ruse mund të pajisen së shpejti me një armë të re automatike e cila është ideuar posaçërisht për pilotët.

Prototipi i armës Kalashnikov model "PPK-20" u zbulua në Moskë me rastin e hapjes së Ekspozitës Ndërkombëtare "Ushtria-2021".

Zv.drejtuesi i kompanisë ruse, "Kalashnikov", tha se arma e mbledhur arrin gjatësinë 41 cm.

Përmasat e bëjnë të manovrueshme për t'u futur edhe në kroskotin e avionëve, për t'u përdorur nga pilotët në rast sulmi ose kur u duhet të hidhen nga mjeti në fluturim e sipër.

Modeli i ri "PPK-20" është në linjën e armëve tip "Vityaz" por kompania thotë se ka rishikuar mekanizmin e qitjes dhe të mbështetjes në trup.

Armës mund t'i shtohet një teleskop, një aparat rrezesh infrakuqe dhe një gyp zhurmëmbytës për të shuar zhurmën e krismave.

Fishekët e kalibrit 9 mm me gjatësi 30 mm e lëshojnë predhën me shpejtësinë 470 metra për sekondë në një objektiv 360 metra larg.

Predhat kanë fuqinë të shpojnë edhe jelekët antiplumb të nivelit 3A.

Prodhuesi rus i armëve thotë se modeli "PPK-20" mund t'u interesojë edhe forcave speciale në zonat urbane, në strukturat e brendshme apo në automjete dhe ambiente me shumë njerëz. Kompania pret vendimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes për ta shpërndarë armën në terren.