Uragani "Henri" kërcënon SHBA, mbi 20 viktima nga përmbytjet

Të paktën 22 persona janë konfirmuar të pajetë nga përmbytjet në shtetin amerikan të Tenesit, ndërsa janë në kërkim dhjetëra të zhdukur.

Vërshimet erdhën si pasojë e reshjeve rekord dhe fryrjes së lumenjve të shtetit juglindor.

Ujërat bllokuan rrugët, dëmtuan shtyllat e linjave telefonike duke u pamundësuar banorëve komunikimin dhe informacione mbi të afërmit.

Mes viktimave ishin binjakë, që iu shkëputën duarve të atit kur vala e vërshimeve u përplas mbi qytezën Hamfri.

"Dua ta filloj duke shprehur ngushëllimet e mia të thella për humbjen e papritur dhe tragjike të jetëve nga përmbytjet e fundit. I kam kërkuar edhe guvernatorit të ofrojë çfarëdo ndihme në këto momente të vështira," deklaroi nga Shtëpia e Bardhë presidenti Joe Biden.

Të dielën, zonat e përmbytura u zmbrapsën nga ujërat, që lanë pas makinat e shpërndara nëpër rrugë dhe shtëpi e biznese të shkatërruara.

Ndërkohë, më në veri, natyra tregoi forcën e vet me anë të uraganit Henri që edhe pse jo-fatal, kërcënoi banorët e Nju-Xhersit, Nju-Jorkut dhe shtetin e Masaçusetsit në verilindje të SHBA-së.

Vorbullat e erës me shpejtësi gati 100 km për orë krijuan dallgë 6-metërshe në disa vende. Autoritetet thanë se i druhen përmbytjeve me kalimin e uraganit në brendësi të territorit.