Putin: Të parandalohet përhapja e islamit radikal nga Afganistani
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se është jetike që të shmanget përhapja e islamit radikal nga Afganistani në Azinë Qendrore dhe që ekstremistët të mbahen larg rajonit.
Sipas një njoftimi të Kremlinit ai e bëri këtë deklaratë gjatë një bisede me udhëheqësit e vendeve të Azisë Qendrore. Presidenti rus gjatë bisedës online ka thënë gjithashtu se është e rëndësishme të vëzhgohet me kujdes tregtia afgane e drogës.
Në këtë takim është shprehur shqetësim për faktin se grupi terrorist Shteti Islamik ende posedon terren në Afganistan dhe se i njëjti paraqet kërcënim, thuhet në njoftimin e Kremlinit, raporton Reuters.
Për këtë arsye, udhëheqësit kanë rënë dakord që të koordinojnë veprimet e përbashkëta për Afganistanin.
Talibanët, më 15 gusht, pasi morën kontrollin e Kabulit, kanë deklaruar se kanë nën kontrollin e plotë të Afganistanit. Presidenti afgan, Ashraf Ghani u largua nga shteti, në kohën kur talibanët arritën në Kabul.
Rusia më 2003 e ka njohur grupin taliban si grup terrorist, por që atëherë ka mbajtur një sërë raunde bisedimesh në Afganistan. Bisedimet e fundit u mbajtën në mars, ku u përfshin edhe talibanët.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka thënë më herët se Moska mbështet “nisjen e një dialogu kombëtar, gjithëpërfshirës, ku do të merrnin pjesë të gjitha forcat politike dhe fetare të Afganistanit”.
Në Afganistan ende veprojnë disa celula të grupit terrorist Shteti Islamik.
Përkthyesi afgan: Po jetojmë ferr
23 Gusht, 14:23
Përmes një marrëveshjeje me SHBA-në për tërheqjen e trupave të huaja nga ky vend, talibanët janë zotuar se nuk do të lejojnë që territori i Afganistanit të përdoret nga grupet terroriste./REL/


