Varianti Delta masivisht në Kosovë/Vërtetim vaksinimi ose test PCR për të hyrë në lokale, hotele e restorante

Përkeqësimi i situatës së Covid-19 ka detyruar qeverinë e Kosovës të marrë masa të reja për parandalimin.

Vendimi u mor pas një takimi që Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati sot me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit.

Kështu nga data 20 gusht, do të mbyllen klubet e natës, deri më 1 shtator, ndërkaq restorantet e kafenetë do të punojnë deri në orën 22:30.

Sipas njoftimit, do të zvogëlohet edhe numri i dasmorëve nëpër dasma, nga 300 që ishte në 150.

“Masat janë nga data 20.08.2021: Sallat e dasmave deri në ora 22:30, kapaciteti i klientëve 150 të pranishëm. Klubet e natës dhe diskotekat mbyllen deri më 01.09.2021. Të gjitha restorantet ditore, kafiteritë etj punojnë deri 22:30”, thuhet në njoftimin e Odës, Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.

Ndërkohë nga 20 gushti, asnjë klient nuk do të lejohet në ambientet Hoteliere-Gastronomike pa dëshmi vaksinimi apo test PCR.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar pesë të vdekur dhe 1765 raste të reja, gjë e cila ka alarmuar institucionet e shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se nga 173 mostra të testuar jashtë vendit, 99.83% janë me variantin Delta.