Kishin mbetur në Kabul, Osmani njofton evakuimin e dy shtetasve nga Kosova
Dy shtetas të Kosovës, të cilët ndodheshin në Kabul të Afganistanit, janë evakuuar nga atje dhe së shpejti pritet të mbërrijnë në Kosovë. Lajmin e ka njoftuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në twitter.
“Për një kohë, Ministria e Jashtme dhe e Diasporës dhe zyra ime kanë punuar që të sigurojnë evakuim të sigurt të shtetasve të Kosovës nga Kabuli. Me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe shteteve evropiane, dy nga qytetarët tanë janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga vendi dhe së shpejti do të kthehen në shtëpi”.
Një ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi se ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me tre shtetas të Kosovës në Afganistan, të cilët kanë kërkuar ndihmë që të largohen nga Afganistani.
Situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar që kur talibanët më 15 gusht hynë në Kabul dhe morën kontrollin e territorit të Afganistanit.


