Talibanët: Gratë mund të punojnë brenda shoqërisë sonë, do veprojmë sipas parimeve tona fetare

Militantët talibanë janë duke dhënë konferencën e tyre të parë për shtyp, dy ditë pas marrjes së kontrollit të Afganistanit.

Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me të drejtat e grave, thotë:

"Ne do t'i lejojmë gratë të punojnë dhe studiojnë brenda kornizave. Gratë do të jenë aktive brenda shoqërisë sonë, brenda kornizës sonë. Kemi të drejtë të veprojmë sipas parimeve tona fetare. Vendet e tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore të ndryshme. Afganët kanë të drejtë të kenë ligjet dhe rregulloret e tyre në përputhje me vlerat tona. Ne jemi të përkushtuar ndaj të drejtave të grave nën sistemin e sheriatit, ligjit islam," thotë Mujahid.

"Ne jemi të përkushtuar për funksionimin e medieve brenda kontekstit tonë kulturor. Asgjë nuk duhet të jetë kundër vlerave islame kur bëhet fjalë për aktivitetet e medias. Ju në media duhet t'i kushtoni vëmendje dobësive [tona] në mënyrë që t'i shërbejmë kombit në mënyrë efektive. Por media nuk duhet të punojë kundër nesh. Ata duhet të punojnë për unitetin e kombit," u tha ai përfaqësuesve të medieve.