Rëndohet bilanci nga tërmeti në Haiti, 1,419 viktima dhe 6900 persona të plagosur
Tërmeti 9-ballësh në Haiti e rriti të martën, 17 gusht bilancin provizor në 1,419 viktima.
Emergjencat civile njoftuan se nga e shtuna kanë regjistruar rreth 6,900 persona të plagosur dhe një numër i panjohur mbeten të zhdukur.
Zonat e goditura nga lëkundjet sizmike pritet tani të përballen edhe me një valë vranësirash tropikale të cilat mund të zbrazin deri 25 cm reshje dhe të rrezikojnë operacionet e kërkimit nga rrëshqitjet e mundshme të tokës.
Amerika dhe vendet latine vijuan të martën të dërgojnë ndihma për banorët haitianë.
Dy avionë nga Kolumbia transportuan 18 tonë pajisje për kërkim-shpëtim dhe 4 tonë ilaçe e ushqime, përveç më shumë se 15 tonëve ndihma humanitare prej Meksikës.
"Presidenti i tyre u vrarë vetëm pak kohë më parë. Kanë një situatë tepër të paqëndrueshme dhe tërmeti i fundit është një fatkeqësi shtesë për popullin e varfëruar të Haitit. Ne do të vazhdojmë t'i përkrahim," deklaroi presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador.
Tërmeti me magnitudë 7,2 sipas shkallës Rihter e goditi shtetin ishullor të shtunën në mëngjes në qytezën jugore të San-Luis-Dy-Sydit.
Tërmeti i vitit 2010 kishte një magnitudë më të vogël, 7 Rihter, por goditja në zonat më të banuara vetëm 6 milje nën tokë shkaktuan rreth 250 mijë viktima dhe mbi 300 mijë të plagosur.
