Zjarret përqark Mesdheut, rindizen vatra të reja në Atikën greke, thatësira kërcënon edhe Italinë Jugore
Vazhdon të mbetet serioze situata me zjarret në vendet që lagen nga Deti Mesdhe.
Greqia, Turqia, Spanja, Portugalia, Italia, Algjeria dhe Maroku janë shtetet që këtë verë kanë humbur jetë, prona dhe me mijëra hektarë pyje.
Franca u bë të hënën vendi i fundit që u desh të përballet me vatrat e zjarrit në rajonet jugore afër resortit të San-Tropesë.
Mijëra banorë u evakuuan si masë paraprake ndërsa 750 zjarrfikës luftuan flakët mes temperaturave të larta dhe erërave të forta.
Të njëjtat kushte meteorologjike rindezën një ditë më parë vatrat në Greqi, më masivet në fshatrat rreth Vilias dhe Kerateas në rajonin lindor të Atikës dhe kryeqytetit.
Forcat nga ajri dhe tokat u mobilizuan për të pakësuar sa të munden pasojat e mëtejshme të një vale zjarresh që prej një muaji kanë konsumuar mbi 100 mijë hektarë tokë.
Në Itali, vapa nuk është më problem por thatësira dhe zonat ende aktive po mbajnë nën kërcënim ishullin e Sicilisë dhe Kalabrinë.
Mbretëria afrikano-veriore e Marokut raportoi vatra zjarri jashtë kontrollit dhe temperatura si të ditëve më parë që arrinin gati 49 gradë Celsius.
Në Algjerinë fqinje javën e kaluar mbetën të paktën 90 të vdekur nga zjarret por tani raportohet se flakët janë drejt shuarjes.
Një sondazh me 20 vendet me ekonomitë më të zhvilluara në botë tregoi së fundmi se 73 për qind besojnë se planeti Tokë ka hyrë në një fazë kritike klimatike prej ndikimit të njeriut.
Shumica në vendet e G20-ës kërkojnë një ndërhyrje të koordinuar botërisht për të adresuar krizat klimatike dhe natyrore.
