Fier, Mbrostari thahet në verë, kalvari i banorëve për një pikë ujë
Banorët e fshatit Mbrostar të Fierit vuajnë mungesën e ujit gjatë gjithë verës.
Ata u ngritën sot në protestë për të kërkuar zgjidhje.
“Nuk ka pikë ujë. Janë shtrirë dy kanale por nuk funksionojnë. Na thonë e ka fajin njëri e fajin tjetri” thonë ata.
Për të pirë ujin e blejnë ndërsa për shërbimet e tjera ujin e marrin nga lumi, por dhe kjo e fundit është bërë e vështirë për shkak se e gjithë rruga është mbushur me plehra, raporton Ora News.
Blerja e ujit me lekë u kushton shumë xhepat e tyre ndërkohë që janë dhe pagues të rregullt të faturave të Ujësjellësit edhe pse në çezmat e tyre nuk ka asnjë pikë ujë.
Një banor i tregoi gazetares së Ora News se është një çezmë, diku 4 km larg banesave të tyre ku mund të mbushin ujë por dhe atje duhet të presësh në radhë.
Janë gati 30 familje që çdo verë vuajnë mungesën e ujit në çezmat e tyre.