"SPAK të hetojë Veliajn" Ekspertiza e parë e konsideroi të banueshëm pallatin, e dyta sugjeroi shembjen
Pas tërmetit të 26 nëntorit ekspertët nisën verifikimin e dëmeve që pësuan pallatet për të vlerësuar nëse ishin ose jo të banueshme.
Në këtë bllok pallatesh në rrugën "Myslym Keta" ekspertiza vërtetoi se nuk kishte dëmtime në strukturë dhe se dëmet ishin të riparueshme.
Por afro 9 muaj më pas doli një ekspertizë tjetër ku u vendos që ky pallat duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri sipas kushteve të reja sizmike dhe strukturale konform eurokodeve.
Sipas banorëve ky nuk është justifikim pasi përditësimi i fundit i KTP (Kushti Teknik i Projektimit) është ai i vitit 1989 dhe në vendin tonë ndërtohet ende me këtë kod.
Banorët e kundërshtojnë vendimin e dalë nga bashkia dhe shprehen se nuk do t'i lirojnë shtëpitë.
"Talibanë janë këta që do vijnë të na prishin pallatin me zor? Ne e refuzojmë kategorikisht. Ne nuk dalim nga shtëpia, shtëpitë i kemi shumë mirë," thotë një banor.
"Kjo është gjëja më e kollajtë të na thonë hajde dhe dil nga shtëpia. Ku të shkojmë? Një fjalë goje është shko dil atje," thotë banori.
"Në asnjë mënyrë të mos prishet pallati, ku do shkojmë?" thotë banori.
"Nuk dalim, vetëm Zoti po e shembi," thotë banori.
Thonë se e gjitha kjo po bëhet për interesa personale të tyre.
"Se këta duan që të abuzojnë vjedhjet që kanë bërë atëherë me bashkinë, me paratë që i kanë vjedhur. Pallati nuk është për t'u prishur," thotë banori.
Ora News shkoi në tre shtëpi të këtij pallati. Dëmet janë vetëm plasaritje të lehta.
"Po të jetë për t'u shembur them unë ikni o zotëri se nuk bëhet shaka me jetën," thotë banori.
"Ne në letra e kemi DS3, këta na i kthyen në DS5, na thirrën që të firmosim. Ne nuk kemi pranuar, përderisa e kemi DS3 dhe këta pas 2 vjetësh kujtohen dhe thonë DS5 sepse kanë qëllimet e tyre i dinë ato," thotë banorja.
"Përse do prishet? Kur ti njëherë m thua që nuk është për t'u prishur, vazhdo të jetosh në shtëpi. Tani pse na del kjo tjetra," thotë banorja.
Ndaj ata i kërkuan SPAK që të hetojë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj për vendimet arbitrare që nxjerr.
"Ka gjetur këtu meqë është një pallat i madh, do ta shembin tani. Erion Veliaj ai është, ta marrë SPAK dhe ta hetojë. Këto janë gjëra jo të mira prandaj i bëj thirrje SPAK urgjentisht të shkojë në bashkinë e Tiranës të nisë hetimin se ky ka dalë DS3," thotë banori.
