Violinisti 12-vjeçar nga Lezha, violina pjesë të pandashme e jetës

Fabio Markolaj është nxënës i shkollës 9-vjeçarja "Besëlidhja" në qytetin e Lezhës. Që në moshën 7-vjeçare violina është bërë pjesë e përditshmërisë së tij.

Sot në moshën 12-vjeçare, Markolaj është bërë profesionist i këtij instrumenti muzikor. Ai tregon se fillimi ka qenë mjaft i vështire, por pasioni për muzikën e ka tërhequr në këtë drejtim.

"Si fillim e kisha me dëshirë. Fillimi ka qenë i vështirë, deri sa u mësova me notat. Violina është e vështirë, por duke mësuar me punë arrihet gjithçka."

Disa orë në ditë ia kushton violinës dhe arrin të luajë pjesë të ndryshme muzikore.

12-vjeçari nga Lezha ka marrë pjesë në shumë aktivitete brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësuar me çmime, ndërsa synimet për të ardhmen i ka të qarta.

"Mendoj të vazhdoj shkollën e muzikës dhe të bëhem dikushi në jetë."

Mësuesi i muzikës në shkollën "Besëlidhja" Fatjon Memaj, thotë se Fabio Markolaj është një nxënës mjaft premtues për të ardhmen.

"Një nxënës shumë i talentuar, edhe punëtor dhe premton shumë." Gjashtë vite pas hapjes së shkollës së muzikës në Lezhë, kanë dalë talentet e para, duke i kthyer këtij qyteti traditën e dikurshme.